Juristi Eduard Halimi kërkon vëmendje të shtuar nga blerësit, bankat por edhe prokuroria lidhur me investimet që bëhen në ndërtim dhe burimin e tyre.
Në një intervistë për "MCN Economy" ai deklaroi se nga hetimet dhe përgjimet e SPAK ka rezultuar se një pjesë e të ardhurave të investuara në ndërtim, investoheshin nga trafiku i drogës.
Halimi këshillon certifikatën e pastërtisë kriminale të investitorit, në mënyrë që kompania apo banka të jetë e mbrojtur.
Në vijim shton se juristët duhet të ndërtojnë kontrata komplekse që të mbrojnë investitorin dhe të marrë të paktën lekët e tij.
Në Shqipëri numri i të ardhurave që vijnë nga jashtë dhe nga ndërtimi janë shumë të mëdha, zënë vendin e dytë ose të tretë në vend dhe mbi këtë arsye ngrihet nga stigma lidhur me burimin e financimit. Mendoj se është stigmë, ndoshta dhe legjendë, sepse financimet vijnë nga disa burimet, kursimet e qytetarëve, bankat.
Në vitin 2021 për operacionin ku u mor serveri i Sky Encro Chat, 63 mijë përdorues, pjesa më e madhe e tyre ishin shqiptarë, ku pjesa më e madhe ishin për trafikun e drogës. Nga këto përgjime ka rezultuar se një pjesë e të ardhurave që siguroheshin nga trafiku i drogës nga Belgjika, Ekuadori, Hollanda, këto para investoheshin në ndërtim. Komplekse rezidenciale në rrethinat e Tiranës, janë financuar nga këto grupe kriminale të cilët i kanë sjellë me valixhe në aeroportin e Tiranës.
Në pjesën e gjithë këtyre investimeve ka disa hije dhe këtu duhet patur kujdes në mënyrën se si duhet të menaxhohen rastet kur këto hije prekin kulla të Tiranës. Deri më tani nuk ka patur konfiskime tërësore të kullave apo ndonjë objekti ndërtimor, bazuar kjo dhe në disa procese qoftë në Shqipëri, por edhe jashtë.
Unë si kompani ndërtimi pranoj financim nga ty, duhet të verifikoj se kush je. Bankat e bëjnë në mënyrë të rregullt për të parë nëse kanë një certifikatë të pastër kriminale. Nëse del me zero rekorde kriminale, unë si bankë apo investitor e protokolloj dhe në rast se nëse pas 3-4 vitesh prokuroria zbulon se ka pasur rekord, unë nxjerr certifikatën. Dhe nëse prokuroria do të vendosë sekuestro, unë jam në mirëbesim dhe nuk duhet të preket prona ime.
Prokuroria vendos shpesh sekuestrimin në total, pro ajo që gjykatat po aplikojnë, nën shembullin ndërkombëtar, kanë nxjerrë vendime ku orientojnë dhe prokurorinë dhe bankat të ruajnë pjesën e hipotekës. Çdo investitor dhe çdo blerës duhet të bëjë verifikimin nëse këta individë janë në ndjekje penale apo kanë rekorde kriminale.
Vënia e shiritit nuk ka ndodhur në bllok, në një kullë dhe ky është lajm i mirë. Nëse do e vendoste SPAK shiritin, do fuste tregun në kolaps, qytetarët në kolaps dhe bankat në kolaps. Është një hap i kujdesshëm i prokurorisë që nuk ka bërë një hap të tillë. Se prokurorët janë njerëz të zgjuar, të lexuar dhe kanë parë 22 vendimet e gjykatave europiane të cilat nuk e pranojnë një vendim të tillë.
Çështja ndërmjet prokurorisë dhe një personi të akuzuar duhet të jenë mes tyre, investitorët e ndershëm apo bankat, duhet të jenë persona të tretë, nuk duhet të merren a i ka paratë e pastra apo jo. Këta duhet të mbrojnë pjesën e shëndetshme.
Qasja e prokurorisë në këtë drejtim ndihmon qytetarët, investitorët dhe bankat. Kur shikon se në një pallat apo kompleks prokuroria ka vendosur sekuestro, sekuestro është masë provizore, faza tjetër është konfiskimi dhe aty duhet kujdes.
Qytetarët apo investitorët apo bankat, kur ka një akt sekuestrimi, duhet të kërkojnë të futen në proces si persona të tretë, të mos kenë qasjen të kundërshtojnë nëse është apo jo fajtor një person. Por të mbrojnë kontratën që kanë bërë në gropë. Por duhet të jenë aktiv në proces.
Procesi i investimeve në gropë është një proces që ende nuk është rregulluar dhe nuk ka vullnetin për ta bërë një gjë të tillë. Në momentin që një investitor do të ndërtojë një kullë 30 milionë euro, investitori në bankë shtetërore duhet të depozitojë 30 milionë euro dhe jo të nisë ndërtimin dhe pastaj të mbledhë lekët.
Kjo gjë nuk është bërë në Shqipëri dhe duhet bërë në mënyrë urgjente në mënyrë që Shqipëria të mos i ngjajë vendeve si Shkupi apo qytete të tjera në Malin e Zi ku sheh pemë brenda ndërtesave. Deri sa ligji nuk ekziston, nuk mund të thotë se bëjnë veprimtari të paligjshme. Ka procedura me klering që ndodhin me hekurin, me betonin.
Në vendet e zhvilluara këto formula nuk performohen, por ne jemi vend me ekonomi të brishtë. Problemi është që këto procedura kanë një risk të lartë. Ne këshillojmë investitorët që në kontrata të ndërtojnë më shumë dallgëpritës, që në rast të papriturash, apo veprimeve nga prokuroria, të jenë të mbrojtur.
Juristët duhet të ndërtojnë kontrata komplekse që të mbrojnë investitorin dhe të marrë të paktën lekët e tij. Që çfarëdo cunami të vijë ti të jesh i mbrojtur dhe të marrësh të paktën paratë e tua.
The content of this article is intended to provide a general guide to the subject matter. Specialist advice should be sought about your specific circumstances.